I pyetur se a ka ndonjë përgjegjësi për humbjen në këto zgjedhje lokale, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se këto janë “teza të atyre që duan të justifikojnë blerjen e votës”.

Berisha u shpreh me bindje se opozita nuk do heqë dorë nga qëndresa e saj dhe se statuti i Partisë Demokratike do të zbatohet.

“Këto janë teza të atyre që duan të justifikojnë blerjen masive të votave. E vërteta është një përpjekje antiligjore për të asgjësuar me çdo kusht opozitën e vërtetë, kjo është më fakte, ndërhyrje, nuk është shpikje e imja, e kam temë të nesërmen.

Në kundërshtim të çdo lloj parimi dhe ligji, forca opozitare u fut në zgjedhje pa logo, pa asnjë financim, kishin qëlllim zhdukjen e kësaj opozite. 15 mijë shqiptarë votuan për opozitën, bënë gjithçka që të zhdukin dhe të krijojnë pseudo-opozitën, dështuan me turpin më të madh. Është në nderin e të gjithë atyre qytetarëve që përballë këtyre mureve të zeza u ngritën mbi to dhe thanë jemi këtu me rreth 40% të votuesve. Çdo ditë do ju njoh me aspekte të shëmtuara të farsës elektorale. Opozita dëshmoi se është e paasgjësueshme dhe se të gjithë ata që përdorën mënyra të tilla, dështuan. Opozita, sot është në këmbë, e vendosur të qëndrojë më fuqishëm se kurrë për interesa të shqiptarëve. Përpjekja për asgjësimin, dështoi!”

Kryedemokrati tha se ai do i përmbahej betimit të tij për t’u larguar nga politika vetëm nëse do të humbiste, zgjedhje të lira e transparente.

“Përdorin lloj lloj mashtrimesh, statuti i ka të qarta, ai do zbatohet pikë për pikë. Në 1991 unë kam bërë një betim me veten time, që zgjedhjet e para të lira që do humbas do largohem dhe unë i qëndroj, absolutisht në 2013-n kam thënë goodbye, ndërkohë janë humbur zgjedhjet, por janë mbrojtur votat.

Pra, në këtë kontekst, ta harrojë kush se unë mund të tërhiqem përveçse nga vota e demokratëve nga ndonjë faktor tjetër para krimit monstruoz elektoral. Vetëm sa më shtojnë motivet sepse e shoh se lufta për të drejtën e votës së shqiptarëve dueht të bëhët dhe më shumë. Ata që rrinë nëpër ekrane, ata rrahin ujë në havan. Nga ’91 deri në 2003 kam humbur zgjedhjet ndërkohë, por s’kanë qenë të lira dhe të ndershme. Statuti do zbatohet!“