Tjetër shpërthim me eksploziv në Elbasan. Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm, dhe shënjestër e sulmit ka qenë banesa e të shumëkërkuarit Talo Çela.
Bëhet e ditur se në banesë nuk jetonte askush, ndërsa si pasojë e eksplozivit janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Kujtojmë se Talo Çelës pak muaj më parë i vranë vëllanë, Bujar Çelën. Paraprakisht dyshohet se ky është një mesazh i koduar për Çelën, i cili vijon të jetë në arrati. Aktualisht policia ndodhet në vendin e ngjarjes ndërsa po vijon me hetimin dhe zbardhjen e saj.
Policia e Shtetit më 7 korrik të këtij viti ka vënë në dispozicion shumën prej 10 mijë eurosh për këdo që jep informacion për kapjen e 49-vjeçarit, i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar për vrasjen e vëllezërve Haxhiaj në Durrës, si dhe për grabitjen e ndodhur në prill të vitit 2019 në aeroportin e Rinasit.
Njoftimi i policisë për ngjarjen:
Më datë 05.11.2020, rreth orës 04:45, në fshatin Katundi i Ri, Elbasan, në pjesën e jashtme të banesës e cila është e pabanueshme në pronësi shtetasit T.Ç., 49 vjeç, ka shpërthyer një sasi dyshohet lëndë plasëse, ku si pasojë ka vetëm dëme materiale.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë dhe grupi hetimor ku vijon veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.





