Shkon në 16 numri i personave të arrestuar në lidhje me sulmin terrorist në Vjenë, mbrëmjen e të hënës.
Pas 14 personave të arrestuar në disa qytete në Austri, është mundësuar arrestimi i 2 personave të tjerë në Zvicër, miq të Kujtim Fejzullait, terroristit nga Maqedonia e Veriut që vrau 4 persona.
Bëhet fjalë për një 18-vjeçar dhe një 24-vjeçar, të dy me nënshtetësi zviceriane. Ata janë vënë në pranga për shkak të lidhjes me autorin e ngjarjes. Ministrja e Drejtësisë në Zvicër, Karin Keller-Sutter, tha se të rinjtë ishin shokë me 20-vjeçarin Fejzullai. Ajo shtoi se ata janë takuar me terroristin, por pa e specifikuar se kur.
“Shkalla se deri në çfarë faze ishte lidhja mes dy personave të arrestuar dhe autorit të ngjarjes është subjekt i hetimeve dhe do të sqarohet nga autoritetet”, tha policia pas arrestimit.
Kujtojmë që për sulmin terrorist në Austri, mori përgjegjësinë ISIS. Fejzullai, i cili u vra nga policia, përpara aktit i shpallte besnikëri në rrjetet sociale Shtetit Islamik.