Numri i viktimave nga tërmeti shkoi në 116 këtë të mërkurë, teksa njoftohet se ekipet e shpëtimit në qytetin turk të Izmirit përfunduan kërkimin e ndërtesave që u shembën.
Përveç dy adoleshentëve që mbetën viktima në ishullin grek të Samos, të gjithë personat e tjerë që humbën jetën ishin në Izmir, qyteti i tretë më i madh i Turqisë, raportojnë mediet ndërkombëtare.
Mehmet Gulluoglu, kreu i Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë, tha se operacionet e kërkimit dhe shpëtimit kishin përfunduar në 17 ndërtesa që ranë në Izmir.
“Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë përfunduar punimet. Falënderojmë secilin punonjës, vullnetar që ka kontribuar. Mirënjohjet tona më të përzemërta. Ndërsa vazhdojmë të punojmë intensivisht në lidhje me çështjet tjera”, shkroi Güllüoğlu nga Twitter.
AFAD njoftoi se deri më tani kanë humbur jetën 116 persona, janë lënduar 1.035 veta, prej të cilëve 137 vazhdojnë të trajtohen në spitale, ndërsa 898 të tjerë janë lëshuar nga spitalet.
Nga 1,035 personat e plagosur në tërmet, 137 mbetën të shtruar në spital të mërkurën.