Ditën e sotme, qarku i Durrësit ka kapërcyer shifrën mbi 900 të prekur me Covid-19 aktivë.

Nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë të raportuara ditën e sotme, qarku i Durrësit regjistron 906 raste aktive, nga 879 që regjistroheshin një ditë më parë.

Duket se në rritjen e menjëhershme ka ndikuar numri i lartë i infektimeve të raportuara në Krujë gjatë të martës, plot 26 të tilla, ndërsa për Durrësin Ministria raportoi vetëm një rast të ri.

Qarku i Durrësit renditet në vend të dytë, pas Tiranës përsa i përket rasteve aktive. Tirana regjistron shifrën e frikshme prej rreth 5000 rastesh aktive, më shumë sesa të gjitha qarqet e tjera të marra së bashku.

Ndërkohë, po sot, Ministria e Shëndetësisë raportoi shifrën rekord prej 381 infektimesh të reja nga 1684 testime që ishin bërë gjithsej në mbarë vendin.

Ditët e fundit shifrat e të infektuarve me Covid-19 në vendin tonë janë rritur ndjeshëm, duke regjistruar thuajse çdo ditë mbi 300 raste, ndërsa dita e hënë regjistroi rekordin negative përsa i përket fataliteteve me 9 viktima (5 viktima u regjistruan të martën).