Lirohet nga burgu pas 20 vitesh Kathleen Folbigg, e cilësuar si vrasësja më famëkeqe në Australi. Ajo ishte akuzuar nga drejtësia australiane se kishte vrarë 4 fëmijët e saj të mitur por sipas provave të reja që kanë dalë në dritë, rezulton se ata kanë ndërruar jetë për shkaqe natyrale.
Rasti i 55-vjeçares është përshkruar si një nga gabimet më të mëdha të drejtësisë në Australi. Zonja Folbigg e cila ka deklaruar gjithmonë pafajësinë e saj, u burgos në vitin 2003 për vrasjen e fëmijëve të saj të cilët ndërruan jetë në mënyrë të papritur midis viteve 1989 dhe 1999.
Gjyqi i zonjës Folbigg i vitit 2003 u përqëndrua në prova rrethanore por nuk kishte asnjë provë reale për mbytje apo lëndime të fëmijëve.
Sipas provave të reja, zbulohet se dy vajzat e saj të vogla kishin një mutacion gjenetik që shkaktonte vdekjen e papritur ndërsa dy djemtë kishin një mutacion gjenetik të ndryshëm të lidhur me epilepsinë.
Akademia Australiane e Shkencave thotë se rasti tregon nevojën për reformë që e bën sistemin ligjor më të ndjeshëm ndaj shkencës.