Domatet që hyjnë nga Shqipëria në Kosovë po konsiderohen të rrezikshme. Dyshimet për to i ka ngritur edhe Agjencia e Ushqimit, e cila po pret rezultatet konkrete. Dyshimet janë se domatet mund të përmbajnë sasi të larta të hormoneve, që janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë është në pritje të rezultateve të testeve laboratorike të mostrave, të dërguara për domatet që janë importuar nga Shqipëria, dhe në varësi nga rezultatet, do të merren dhe veprimet.
Ato dyshohet se mund të përmbajnë sasi të larta të hormoneve, që janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut.
Agjencia e Ushqimit ende nuk ka njoftim zyrtar për domatet e importuara nga Shqipëria dhe përmbajtjen e tyre, të cilat kohët e fundit janë larguar nga tregu i Bashkimit Evropian.
Por, me gjithë këtë, AUV ka marrë mostrat dhe i ka dërguar në laboratorë jashtë vendit, me qëllim testimi në kontaminuës kimik/mbetje të pesticideve.
“Përveç kontrolleve zyrtare, pa dyshim se si burime të informacioneve, në rrugë zyrtare që kemi, pranojmë njoftime për çdo produkt që paraqet dyshim apo rrezik për konsumatorin. Ku për dyshimet e ngritura nga ana juaj nuk kemi ndonjë njoftim.
Por, kemi përcjellë edhe informata që jepen nga mediat për ngritje të dyshimeve dhe mbi bazën e kësaj, ne si AUV, kemi marrë masa shtesë të kontrollit, me theks të veçantë kontrollin e domateve me origjinë nga Shqipëria. AUV është në pritje të rezultateve të testeve laboratorike të mostrave zyrtare të dërguara”.
Ky institucion ka dëshmuar se në pas do të merren masa.
“Pas pranimit të rezultateve, në varësi nga gjetjet, do merren veprime”, thuhet në deklarimin për media që kanë bërë nga Agjencia e Ushqimit.
E përfaqësues të bizneseve kanë thënë se Kosova do të duhet të ndërmarrë masa kundrejt çdo produkti që nuk i përmbush kërkesat e tregut.
Kryetari i Agjencisë Kosovarë te Biznesit Agim Shahini, ka thënë se pavarësisht a është prodhim vendor apo i importuar, çdo mall duhet të kontrollohet.
“Ai produkt është duke u eksportuar në vendet e ndryshme të Ballkanit, duke përfshirë këtu edhe Kosovën. Edhe Kosova duhet të marrë hapa të drejtë dhe të sigurt që çka është ai standard që nuk plotësohet për konsum në Europë, e plotësohet për konsum në vendet e ndryshme të Ballkanit në këtë rast për Kosovën.
Dhe në raste se Kosova vërteton një gjë të tillë, se nuk është për konsum, atëherë duhet të ndalohet ky import i këtij produkt, në mënyrë që të ruhet shëndeti publik. Por, në të kundërtën nëse i plotëson kushtet, por në vendet e BE kërkojnë standarde edhe për paketim, atëherë kjo është një çështje dekorimi dhe jo çështje që jep dyshim për një kualitet të dobët dhe që nuk është për konsum”.
Sidoqoftë, deri në marrjen e analizave nga AUV, domatet e importuara nga Shqipëria do të vazhdojnë të jenë prezentë në treg. Ato së fundit janë kthyer mbrapsht nga Bashkimi Evropian, me arsyetimin se nuk i përmbushin parametrat e sigurisë./Monitor