Ajri i Tiranës është i ndotur dhe nuk do shumë për ta kuptuar, mjafton që të jetosh pak ditë në kryeqytet dhe do të kesh probleme me frymëmarrjen.
Për të shmangur çdo keqinterpretim dhe mendim subjektiv, Piranjat bashkëpunuan me laboratorin Italian ‘Neotes’ duke matur ajrin e kryeqytetit tone për 8 me radhë në 20 pika të ndryshme.
Rezultatet? Skandaloze dhe shumë mbi normën e lejuar. Praktikisht, Tirana është ndër qytetet më të ndotura në Europë dhe në botë. Specialistët ngritën alarmin, por mbetej vetëm përgjigjja e autoriteteve zyrtare.
Ne shkuam për të marrë një prononcim te Ernisa Caka, specialistja në agjencinë kombëtare të mjedisit për të marrë nivelin e ndotjes së ajrit në Tiranë të monituruara nga ky institucion. Sigurisht, për ta, ka ndotje, por jo në nivelet që bashkëpunëtorët tanë italianë kanë konstatuar.
‘Situata nuk është alarmante. Ne bëjmë monitorime të vazhdueshme, çdo ditë nga 24 orë. Nuk mund të themi se nuk ka ndotje në Tiranë, por nuk është në nivelet që ju keni paraqitur.
‘Tirana është qytet në ndërtim, makinat, po ashtu bëjnë të veten. Duhet më shumë ndërgjegjësim nga të gjithë. Krahasim ndërmjet analizave tona? I bëjmë, por janë teknologji ndryshe, prandaj nuk ka vend për krahasim.
‘Nuk mund t’i bëjmë publike rezultatet’, tha specialistja e ajrit ndër të tjera. Institucionet bëjnë punën e tyre, ne punën tone dhe qytetarët e kanë në dorë se cilin version të besojnë.