Ministria e Jashtme e Rusisë lajmëroi këtë të shtunë se vendimi i Islandës për të pezulluar operacionet e ambasadës së saj në Moskë “shkatërron” bashkëpunimin dypalësh.

Islanda njoftoi ditën e premte se operacionet do të pezulloheshin nga 1 gushti për shkak të një niveli “të ulët” të marrëdhënieve tregtare, kulturore dhe politike midis vendeve, duke shtuar se i kishte kërkuar Rusisë të zvogëlonte aktivitetet e saj diplomatike në Rejkjavik.

“Vendimi i marrë nga autoritetet islandeze për të ulur nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Rusinë shkatërron të gjithë gamën e bashkëpunimit ruso-islandez”, tha Ministria e Jashtme ruse.

“Ne do ta marrim parasysh këtë vendim jomiqësor kur ndërtojmë lidhjet tona me Islandën në të ardhmen. Të gjitha veprimet anti-ruse të Rejkjavikut do të pasohen në mënyrë të pashmangshme nga një reagim përkatës,” shtohet në deklaratë.

Kur shpalli vendimin e saj, Islanda tha se marrëdhëniet diplomatike nuk ishin ndërprerë dhe se ambasada do të rihapet sapo të normalizohen marrëdhëniet.