Partia Socialiste shënon sot 32-vjetorin e themelimit. Me fitoren masive që korrën në zgjedhjet e14 majit, për socialistët sot është padyshim një ditë feste dhe kjo shprehet më së miri edhe nga kreu i kësaj force politike.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Rama zgjodhi të publikonte flamurin, për të uruar ditëlindjen e kësaj force politike dhe falenderuar zgjedhësit për mbështetjen. Me një flamur që valëvitet në qiell, shkruan kreu i qeverisë, PS është e vetmja forcë politike që nuk e ka ndryshuar drejtimin e interesit kombëtar.

Rama nuk heziton të ritheksojë se PS votohet sot më tepër nga gratë se nga burrat.

“Mirëmëngjes dhe me flamurin e forcës së vetme politike shqiptare, që në asnjë rast apo çast qysh prej krijimit të saj, nuk ka lëvizur nga drejtimi i interesit kombëtar, duke qenë njëkohësisht e vetmja forcë politike shqiptare e cila votohet më shumë nga gratë se sa nga burrat, i uroj çdo anëtari e anëtareje të familjes sonë të madhe, gëzuar ditëlindjen e Partisë Socialiste, si edhe të gjithëve ju një ditë sa më të mbarë”, shkruan Rama.