Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka kritikuar propozimin e PS për reformën e re territoriale, duke deklaruar se procesi nuk ka në qendër qytetarët dhe shërbimet publike, por interesat politike.

Gjatë rrugës për në Kavajë, Tabaku tha se reforma duhet të synonte përmirësimin e demokracisë lokale, rritjen e përgjegjshmërisë së bashkive dhe përmirësimin e shërbimeve.

Sipas saj, gjatë dëgjesave të zhvilluara në kuadër të procesit, nuk ka hasur qytetarë apo përfaqësues vendorë që të kërkojnë uljen e numrit të bashkive.

“Në vend që të analizohen gabimet dhe problemet e reformës së vitit 2015, propozohet një reformë e hartuar me të njëjtën metodë, me të njëjtën filozofi dhe vetëm në funksion të interesit politik. Propozimi për të reduktuar numrin e bashkive është një lojë numrash. Ndërkohë që duhej të kishim ndërtuar një reformë që niset nga funksionet dhe përgjegjësitë e pushtetit vendor, nga bashkitë që janë të afta të ofrojnë më shumë shërbime, të menaxhojnë më mirë territorin dhe të kenë qëndrueshmëri financiare”, shprehet deputetja demokrate.

Reagimi i plotë: 

Rrugës për në Kavajë, dy fjalë për reformën territoriale.

Reforma territoriale duhej të ishte një reformë në shërbim të qytetarëve, të funksioneve dhe përgjegjësive të bashkive, si edhe një reformë që do të përmirësonte demokracinë lokale dhe përfaqësimin. Por ajo përfundoi si një reformë në funksion të pushtetit, pa pasur në qendër qytetarin dhe pa pasur në qendër shërbimet.

Me përgjegjësinë maksimale, si anëtare e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrative dhe Territoriale, mora pjesë në këtë proces për të korrigjuar gabimet e dhjetë viteve më parë dhe për të mos përsëritur mungesën e pjesëmarrjes që karakterizoi reformën e parë.

Në të gjitha dëgjesat që kemi zhvilluar, në asnjë rast nuk kam dëgjuar një qytetar apo një përfaqësues vendor të kërkojë uljen e numrit të bashkive. Megjithatë, ky është propozimi i Partisë Socialiste.

Në vend që të analizohen gabimet dhe problemet e reformës së vitit 2015, propozohet një reformë e hartuar me të njëjtën metodë, me të njëjtën filozofi dhe vetëm në funksion të interesit politik.

Propozimi për të reduktuar numrin e bashkive është një lojë numrash. Ndërkohë që duhej të kishim ndërtuar një reformë që niset nga funksionet dhe përgjegjësitë e pushtetit vendor, nga bashkitë që janë të afta të ofrojnë më shumë shërbime, të menaxhojnë më mirë territorin dhe të kenë qëndrueshmëri financiare.

Nuk është produkti final ai që ka rëndësi. Rëndësi ka procesi. Rëndësi ka që kjo reformë të ndërtohet për qytetarët.

Reforma e vitit 2015, e cila ishte një reformë e debatueshme dhe me karakter të fortë elektoral, tregoi se sot bashkitë janë më të dobëta, kanë më pak kapacitete, e kanë më të vështirë të administrojnë territorin dhe nuk ofrojnë shërbimet që qytetarët presin.

Mjafton të marrim shembullin e Kasharit, Farkës apo Dajtit. Zona të tëra të Tiranës nuk ndihen të përfaqësuara dhe nuk marrin shërbimet që meritojnë.

Nëse vazhdojmë të propozojmë reforma pa kritere, pa metodologji dhe pa një vlerësim të plotë të asaj që ka ndodhur, edhe kjo reformë do të dështojë, ashtu siç dështoi e para.

Sot Shqipëria ka nevojë për një reformë të plotë të decentralizimit. Ka nevojë për delegim real të funksioneve te bashkitë, për qëndrueshmëri financiare të pushtetit vendor dhe mbi të gjitha për një politikë që vendos qytetarin në qendër.