Të paktën 10 persona kanë vdekur dhe 25 të tjerë janë plagosur, pasi një autobus që po transportonte disa dasmorë u rrëzua në një rajon në Australi.
Sipas mediave të huaja, pasagjerët po ktheheshin nga një dasmë në një punishte vere të dielën mbrëma në Hunter Valley, një vend i njohur për turistët e verës, në momentin kur autobusi i tyre u përmbys.
Policia ka akuzuar drejtuesin e autobusit 58-vjeçar, ku mbi të rëndojnë 10 akuza për drejtim të rrezikshëm me pasojë vdekjen.
Sipas autoriteteve, ende nuk është bërë identifikimi i plotë i viktimave.
Policia bën me dije se aksidenti ndodhi rreth orës 23:30 me orën lokale kur në zonë kishte pasur mjegull të dendur. Autobusi ishte rrokullisur teksa bënte kthesë në një rrethrrotullim jashtë autostradës.
Efektivi i policisë tha se dy nga të mbijetuarit u transportuan menjëherë nga ajri për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Mediat lokale raportojnë se të paktën njëri prej tyre është ende në gjendje kritike.
Kryeministri australian Anthony Albanese në një konferencë shtypi tha se është “aq mizore, kaq e trishtuar dhe kaq e padrejtë” që një “ditë e gëzueshme në një vend të bukur si ai të përfundojë me një humbje kaq të tmerrshme jete”.
Hunter Valley në Uellsin e Ri Jugor është i njohur për vreshtat e saj dhe shkurret vendase, duke e bërë atë një vend të njohur për adhuruesit e verës dhe daljet ose festimet në grup.
Policia tha se po punon ende për të identifikuar viktimat e aksidentit dhe për të kontaktuar me të afërmit e tyre.