Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Francë ku një 71-vjeçar pas konflikteve të herëpashershme me një fqinj, ka vrarë me armë zjarri një 11-vjeçare.

Mediat e huaja shkruajnë se ngjarja ka ndodhur në kopshtin e shtëpisë së saj në Brittany , Francë, pas një mosmarrëveshjeje të gjatë mes dy fqinjëve.

Babai dhe nëna e vajzës u plagosën gjithashtu në sulmin në fshatin Saint-Herbot në Brittany, ndërsa motra e saj tetë vjeçare shpëtoi e padëmtuar.

Familja Thornon, e cila jeton në fshat prej rreth pesë vitesh, po shijonte një darkë në kopshtin e tyre rreth orës 22 të së shtunës, kur një burrë u shfaq me një armë dhe qëlloi disa herë mbi ta.

Solenne Thornon, 11 vjeçe u vra menjëherë, ndërsa babai i saj, 52-vjeçari Adrien, u qëllua në kokë. Ai u dërgua në spital ku gjendja e tij shfaqet mjaft kritike.

Sipas autoriteteve, nëna e vajzave, Rachel, 49 vjeçe u qëllua në shpinë dhe në kokë, por thuhet se ishte jashtë rrezikut për jetën ndërsa vajza më e re, Céleste, tetë vjeç, u arratis në shtëpinë e një fqinji tjetër dhe ngriti alarmin.

Halley tha se një holandez 71-vjeçar që jetonte në të njëjtin fshat ishte arrestuar në lidhje me të shtënat dhe ndërkohë gruaja e tij po merrej në pyetje.

Mediat franceze raportuan se kishte pasur një konflikt mes familjes britanike dhe fqinjëve të tyre për një pjesë toke. Autoritetet bëjnë me dije se provat fillestare sugjeronin se i dyshuari “doli papritmas me një armë dhe qëlloi disa herë në drejtim të viktimave”.

“Nuk dihen ende motivet e kësaj tragjedie. Duket se kishte pasur një konflikt midis dy fqinjëve për disa vite për një copë toke ngjitur me dy pronat”, u tha Halley gazetarëve francezë.

Vrasja erdhi vetëm disa ditë pasi një vajzë trevjeçare u vra mes katër fëmijëve dhe dy të rriturve, nga një sulm me thikë në një park në Annecy në Francën lindore.