Italia është pikëlluar nga humbja e Silvio Berlusconit, i cili vdiq sot në moshën 86-vjeçare, teksa po trajtohej në spitalin San Raffaele në Milano.

Trupi i Silvio Berlusconit u dërgua nga spitali në vilën e tij në Arcore, pak jashtë Milanos, ndërsa turma njerëzish ishin mbledhur përgjatë rrugës për t’i dhënë lamtumirën politikanit ikonë.

Varrimi i tij do të bëhet me shpenzime publike të mërkurën në katedralen e Milanos, ndërsa në Itali është shpallur zi kombëtare ditën e varrimit.

Në shenjë zie, flamujt italianë dhe të BE-së janë ulur në gjysmështizë nga sot në ndërtesat e Senatit, Palazzo Chizzi – selia e Këshillit të Ministrave dhe rezidenca zyrtare e Kryeministrit të Italisë – dhe Palazzo Montecitorio, selia e Dhoma e Deputetëve, në Romë.

Tifozët dhe mbështetësit e Berlusconit vazhdimisht lënë flamuj, lule dhe shënime jashtë kopshteve të shtëpisë së tij.

Mbështetësit politikë dhe kundërshtarët e ish-kryeministrit të Italisë, manjatit të medias dhe figurës së sportit i bënë homazhe Silvio Berlusconi – një nga njerëzit më me ndikim në historinë italiane, sipas kryeministres Giorgia Meloni.

Presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, në deklaratën e tij për vdekjen e Berlusconit, theksoi se “ai ishte një lider i madh politik, që vulosi historinë e Republikës Italiane”.