Paraditën e kësaj të hëne, studentët kanë zhvilluar një protestë para Ministrisë së Arsimit kundër urdhrit për mbylljen e auditorëve dhe kundër mësimit online.

Sipas tyre, vendimi u ka ardhur pak ditë përpara se të hapej viti akademik, dhe se ata ishin bërë gati për t’u ulur në auditorë. Studentët që vinin nga rrethet thanë se kishin marrë edhe banesat me qira.

Më të revoltuarit janë ata që nisin vitin e parë akademik, sipas të cilëve nuk mund të përfitohet asgjë nga mësimi online.

Për shumicën e studentëve, është absurde që qeveria bën fushatë dhe takime elektorale, si dhe lejon baret e restorantet, por mbyll dyert e universiteteve.

Ashtu si në çdo protestë të tyre, edhe këtë radhë spikasin pankartat e studentëve, në disa prej të cilave shkruhet: “Injoranca vret më shumë se virusi”, “Mësimi online, fushata offline”, “Nuk duam operacione online në të ardhmen”, etj.

Studentët kanë paralajmëruar protesta të përditshme nga ora 10:00 deri në 13:00 derisa të marrin një përgjigje nga qeveria për kërkesat e tyre.