Egjipti ka nisur punën për mumifikimin e peshkaqenit që hëngri turistin rus 23-vjeçar dhe më pas do ekspozohet në muze.
Të hënën, specialistë në Institutin e Shkencave Detare dhe Rezervat e Detit të Kuq filluan procesin e balsamimit e peshkaqenit për ta vendosur në muzeun e institutit, sipas kanalit arab të lajmeve “Al Arabiya”.
Sipas medieve të huaja, autoritetet arritën të nxirrnin nga peshkaqeni kokën, gjoksin dhe krahët e viktimës, ndërsa peshkatarët nxorën edhe gjysmën tjetër të trupit nga deti.
Videoja tregon trupin e peshkaqenit duke u operuar nga specialistë, me gojën e mbushur me një material të bardhë. Një burrë duket se po bën prerje ndërsa një tjetër kontrollon qëndrueshmërinë e lëkurës.
Sipas mediave të huaja, peshkaqeni për pak sa nuk hëngri të gjithë trupin e viktimës, por pasi ka pikasur afrimin e varkës së peshkatarëve, ka ikur duke hedhur në ujë gjysmën e poshtme të trupit.
Peshkatarët nxorën pjesën e poshtme të trupit dhe më pas e ndoqën peshkaqenin derisa arritën ta kapnin. Ata tërhoqën peshkaqenin me varkë dhe pasi mbërritën në tokë, njerëzit filluan ta godisnin peshkaqenin për vdekje.
Babai i të riut ka folur për tmerrin që ka përjetuar, kur shikonte të birin të kafshohej për vdekje nga peshkaqeni.
“Shkuam në plazh për t’u çlodhur. Djali im u sulmua nga një peshkaqen, gjithçka ndodhi në sekonda“, tha zoti Popov, me origjinë nga Rusia, për median 112.
Babai zemërthyer tha se nuk kishte anëtarë të familjes pranë djalit të tij për ta ndihmuar në ujë. Popov kishte jetuar me babanë e tij në Egjipt për disa muaj përpara sulmit të tmerrshëm, i cili tha se do të digjte djalin e tij dhe do ta kthente hirin e tij në vendlindjen e tyre, Rusi.