Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko deklaroi të martën se vendi i tij kishte marrë tashmë disa nga armët taktike bërthamore të Rusisë dhe paralajmëroi se ai nuk do të hezitonte të urdhëronte përdorimin e tyre nëse Bjellorusia përballej me agresion.
Komentet e Lukashenkos bien në kundërshtim me deklaratat e mëparshme të Presidentit rus Vladimir Putin, i cili tha se pasi armët bërthamore të vendosen në Bjellorusi, do të mbeten nën kontrollin ekskluziv të Moskës.
Në fillim të këtij viti, zoti Putin njoftoi planin për vendosjen e armëve bërthamore me rreze të shkurtër veprimi në vendin fqinj dhe aleatin e Moskës, Bjellorusinë, një veprim i parë gjerësisht si një paralajmërim për Perëndimin, ndërsa rriti mbështetjen ushtarake për Ukrainën.
Gjatë takimit të tij të premten me presidentin bjellorus Lukashenko, zoti Putin tha se puna për ndërtimin e objekteve për armët do të përfundonte më 7-8 korrik dhe ato do të zhvendoseshin shpejt në territorin bjellorus pas kësaj.
Presidenti Lukashenko tha të martën se “gjithçka është gati” për vendosjen e armëve bërthamore ruse, duke shtuar se “mund të duhen vetëm disa ditë që ne të marrim atë që kishim kërkuar dhe madje edhe pak më shumë”.
I pyetur më vonë nga një prezantues i televizionit shtetëror rus nëse Bjellorusia kishte marrë tashmë disa nga armët, zoti Lukashenko u përgjigj duke thënë: “Jo të gjitha, pak nga pak”.
“Ne i kemi marrë raketat dhe bombat nga Rusia”, tha ai, duke shtuar se armët bërthamore ruse që do të vendosen në Bjellorusi janë tre herë më të fuqishme se bombat atomike të SHBA-së që u hodhën në qytetet japoneze të Hiroshima dhe Nagasaki në 1945.
“Zoti na ruajt që të marr një vendim për t’i përdorur ato armë sot, por nuk do të kishte asnjë hezitim nëse përballemi me një agresion”, tha zoti Lukashenko, i njohur për deklaratat e tij të ashpra, në komentet e lëshuara nga zyra e tij të martën.
Duke folur më vonë të martën në fjalimet e transmetuara nga televizioni shtetëror rus, ai sqaroi se do të bisedonte me presidentin Putin përpara se të përdorte ndonjë nga armët.
“Unë e marr telefonin dhe kudo që të jetë ai, ai e pranon telefonatën”, tha zoti Lukashenko duke iu referuar presidentit Putin. “Nëse ai telefonon, unë përgjigjem në çdo kohë. Nuk është aspak problem të koordinosh nisjen e një sulmi”.
Zyrtarët rusë nuk bënë reagime të menjëhershëm mbi komentet e zotit Lukashenko.