Autoritetet greke po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e shkakut të mbytjes së anijes në brigjet e Mesdhetu në Pylos të Kallamatës ditën e djeshme.
Anija e peshkimit plot me emigrantë nga Afganistani, Siria, Palestina dhe Pakistani ishte nisur nga Tobroku, Libi me destinacion Italinë.
Deri më tani numri i të vdekurve është 79, ndërsa janë shpëtuar 104.
Ekziston frika për më shumë të vdekur, pasi të mbijetuarit kanë thënë se në anije kishte edhe 100 fëmijë.
Mediet greke bëjnë me dije se mes të shpëtuarve janë edhe 7 trafikantët të gjithë nga Egjipti, të cilët po transportonin emigrantët me anijen e tejmbushur.
Shtatë trafikantët janë arrestuar. Ata po merren në pyetje në lidhje me rrethanat e ngjarjes.
Operacionet e kërkim shpëtimit kanë vazhduar pa pushim edhe gjatë natës, njofton Roja Bregdetare. Por, fakti që prej pasdites së djeshme nuk ka asnjë progres nga kërkimet, shqetëson autoritetet.
Siç theksojnë për protothema.gr zyrtarë të Rojës Bregdetare, numri i saktë i pasagjerëve do të jetë i vështirë të përcaktohet me saktësi edhe pas marrjes së deklaratave nga të shpëtuarit.