Ish-kryeministri Sali Berisha në një konferencë për shtyp ka komentuar propozimin e opozitës për përcaktimin e minimumit jetik prej 200 euro për personat në nevojë, pensionistët por dhe studentët.

Berisha tha se ky minimum jetik duhet të vendoset me ligj si një përgjegjësi ligjore ndaj situatës alarmante që ndodhet vendi për varfëri dhe mjerim, ku tha se 200 euro të propozuara janë sa ¼ e asaj që ofron Bashkimi Europian.

“Sot ka një hendek të madh ndër më të mëdhenjtë që një komb mund të ketë, midis të pasurve dhe të varfërve në Shqipëri. Defakto ka një përjashtim dhe kërcënim për përjashtim nga jeta me kushtet më elementare, bazë të qindra mijërave shqiptarëve, sipas fondit monetar të 48% të shqiptarëve, sipas Eurostat ky rrezik është për 60% të shqiptarë, por e vërteta është se hendeku është më i madh në ccdo komb tjetër, në Ballkan dhe europë. Ka një shkak themelor që ka krijuar këtë hendek, është vjedhja e madhe që i bëhet qytetarëve, pasurimi duke vjedhur të varfërve nga qeveritarët dhe oligarkëve të tyre. Shqipëria është vendi i vetëm që nuk i garanton dhe mbron qytetarët nga minimumi jetik, me të cilin ata mund të blenë ushqimet si individ dhe familje, dhe pak më shumë e të ardhurave duhet ti mbeten për plotësimin e nevojave të tjera. Avokati i Popullit e ka llogaritur këtë minimum jetik rreth 200 euro, pra është llogaritur ¼ nga BE ku është 840 euro.

Çmimet e ushqimeve bazë janë të njëjta dhe në disa raste më të kushtueshme sesa në mesataren e BE, por vendosja e një pagese prej 200 euro si minimum jetik për person është pa diskutim një përgjigje e situatës emergjente që ndodhet vendi. Nga kjo pagesë përfitojnë mbi 85% e pensionistëve, të gjithë familjet me ndihmë ekonomike që marrin një mbështetje qesharake, maksimumi 80 mijë lekë, kategori të tjera por duhet të përfitojnë studentët. Shtrirja, vendosja me ligj është një përgjigje ligjore që i jepet kësaj situate katastrofale që ndodhet vendi me kërcënim të madh për varfëri dhe mjerim, si asnjë vend tjetër në Europë”, tha Berisha.