Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka publikuar një foto me delegacionin e Ukrainës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Përmes një postimi në Facebook, deputeti demokrat thotë se kanë biseduar në lidhje me mbështetjen që duhet t’i jepet Kievit në luftën kundër agresionit të paprovokuar të Rusisë.

Basha bën të ditur se ka propozuar një rezolutë që bën thirrje për konfiskim e aseteve ruse dhe krijimin e një fondi ndërkombëtar, ku të depozitohen asetet e konfiskuara dhe vendosjen e këtyre fondeve në dispozicion të financimit për projektet e rindërtimit të Ukrainës.

“Me delegacionin e Ukrainës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës ku folëm për mbështetjen që bota demokratike duhet ti japë Ukrainës në luftën e drejtë kundër agresionit të paprovokuar të Rusisë. Federata Ruse ka detyrimin sipas të drejtës ndërkombëtare të kompensojë Ukrainën, qytetarët, kompanitë dhe qeverinë e saj, për dëmet e shkaktuara nga aktet e paligjshme të Federatës Ruse që janë kryer gjatë agresionit të saj të paligjshëm.

Për këtë arsye kam propozuar një rezolutë e cila është mbështetur gjerësisht nga anëtarët e Asamblesë Parlamentare. Rezoluta bën thirrje për bashkëpunimin mes vendeve anëtare të Këshillit të Europës dhe vendeve të tjera, me synim konfiskimin e aseteve sovrane të Federatës Ruse në këto shtete, dhe krijimin e një fondi ndërkombëtar ku të depozitohen asetet e konfiskuara dhe vendosjen e këtyre fondeve në dispozicion të financimit për projektet e rindërtimit të Ukrainës.”-shkruan Basha.