Drejtori i spitalit “Shefqet Ndroqi”, Perlat Kapisyzi, ka dhënë një deklaratë për mediat në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm, ku një pacient me COVID-19, ndërroi jetë pasi u hodh nga kati i katërt.

Mjeku Kapisyzi, deklaroi se pacienti Preng Gjonaj nga Tropoja i është nënshtruar të gjitha mjekimeve për SARS cov-2. Gjithashtu, ai theksoi se pacienti që nga shtrimi e deri në momentin e fundit nuk ka shfaqur shenja jo normale psikologjike.

“Sot në orën 3 të mëngjesit ndodhi një ngjarje e rëndë që na tronditi të gjithë neve, mjek, infermierë që punojmë 24 orë. 52-vjeçari i është nënshtruar të gjitha mjekimeve sipas trajtimeve nga SARS cov-2. Ne emër të spitalit “Shefqet Ndroqi” u shprehim ngushëllime familjarëve të pacientit. Sipas të dhënave tona që nga shtrimi e deri në momentin e fundit, pacienti nuk paraqiste ndryshime apo shenja psikologjike jo normale. Ky është një moment shumë i vështirë për ne. Ne do kërkonim mbështetjen e të gjithëve në këtë luftë. Është momenti të respektojmë dhimbjen e familjarëve dhe dhimbjen tonë” – tha drejtori Kapisyzi.