Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar për situatën e tensionuar kampin e muxhahedinëve në Manzë.
Nëpërmjet një reagimi në “Facebook”, Meta e ka cilësuar si një ngjarje të rëndë, ndërsa thekson se ka mungesë të transparencës dhe profesionalizmit të strukturave shtetërore.
REAGIMI:
Ngjarja tepër e rëndë sot në Kampin ASHRAF të Muxhahedinëve në Manzë është dëshmi e qartë e mungesës së plotë të transparencës dhe profesionalizmit të veprimeve të strukturave shtetërore.
Dhuna e hapur me pasojë humbjen e jetës së një personi dhe plagosjes së dhjetëra të tjerëve është tërësisht e papranueshme dhe provë e përdorimit joproporcional të forcës ndaj një komuniteti, që është mirëpritur në Shqipëri.
Kjo sjellje e dhunshme në vazhdimësi e Policisë së Shtetit kërkon veçanërisht në këtë rast evidentimin e të gjithë përgjegjësve të dhunes, si dhe verifikimin me përgjegjësi maksimale ligjore të të gjithë veprimeve të ndërmarra nga strukturat e shtetit, si një detyrim i pakapërcyeshëm për këtë ngjarje, që ka tronditur opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar.