“Po përpiqesha të shihja nëse mund ta godisja me telefon nga ajo distancë këngëtaren Bebe Rexha”. Këtë arsyetim ka dhënë para policisë 27-vjeçari, Nicolas Malvagna.
Incidenti ndodhi një ditë më parë në Nju-Jork, gjatë koncertit të këngëtares me origjinë shqiptare, e cila u sulmua teksa po bënte simbolin e shqiponjës.
Ajo u largua me shpejtësi nga skena dhe u dërgua në një spital, ku iu nevojitën tre të qepura në pjesën e syrit. Më vonë, Bebe i siguroi fansat se ishte “mirë”, duke postuar një foto të fytyrës së saj, e cila tregonte një mavijosje të madhe dhe shirit qepjeje në vetullën e saj.
Nicolas Malvagna u arrestua pasi u identifikua nga fansat e yllit të popit dhe ndodhet në paraburgim.
Koncerti i së dielës në The Rooftop në Pier 17 ishte pjesë e turneut të këngëtares dhe kauntatores 33-vjeçare, të titulluar Best F’n Night Of My Life.