Ish-kryeministri Sali Berisha insiston se sulmi ndaj muxhahedinëve iranian në kampin e MEK është i turpshëm.
Përmes një deklarate për shtyp, Berisha tha se “20 qershori do të shënohet në historinë e Shqipërisë, Europës dhe botës si një ditë turpi”, në të cilën u ushtrua “një brutalitet dhe dhunë e egër” ndaj anëtarëve të MEK në Manzë.
Duke i konsideruar ngjarjet të papranueshme, Berisha saktësoi se “muxhahedinët e popullit ndodheshin në një kamp në Irak dhe ishin objekt sulmesh, granatimesh të egra dhe të pamëshirshme nga qeveritarët irakianë”, në momentin që u tërhoqën në Shqipëri nga qeveria e tij.
Berisha theksoi se marrëveshja me SHBA-në u pranua në bazë të tre kushteve:
Së pari, po, marrja e një kontingjenti pilot për të parë si do të ecte sistemi dhe qëndrimi i tyre.
Së dyti, kërkesa e dytë për t’i marrë ishte që të hiqeshin nga lista e grupit terrorist, sepse ata ishin të listuar nga DASH si grup terrorist.
Së treti, që muxhahedinët do vinin në Shqipëri nën ombrellën e OKB-së, e cila do të ndihmonte për kuadrin e të drejtave.
“20 qershori do të shënohet në historinë e Shqipërisë, Europës dhe botës si një ditë turpi. Si një ditë në të cilën, narkoshteti shqiptar pikërisht zgjodhi ditën e refugjatëve, për një reprezalje, përmasat e të cilës, sipas medieve, janë krejt të tjera nga ato që thotë ministri Çuçi dhe zëdhënësi i tij, Rrumbullaku.
Mediat, përveç viktimës, informojnë për gjymtyrë të thyera, të cilat nuk mund të ndodhin kurrë me spraj, për koka të cacra, për plagosje të rënda. Pra, një brutalitet dhe një dhunë e egër, e dënueshme, e papranueshme. Tani, për ju dhe për shqiptarët, dua të saktësoj disa momente.
Marrëveshja për sjelljen në Shqipëri të muxhahedinëve të popullit, ka nisur zbatimin e saj gjatë qeverisë së mëparshme. Në atë kohë, muxhahedinët e popullit ndodheshin në një kamp në Irak dhe ishin objekt sulmesh, granatimesh të egra dhe të pamëshirshme nga qeveritarët irakianë.
Kërkesës së Departamentit të Shtetit, gjatë një vizite që unë bërë në Uashington, për të marrë dhe strehuar në Shqipëri muxhahedinët, unë i dhashë këtë përgjigje: së pari, po, do marrim një kontingjent pilot për të parë si po ecën sistemi dhe qëndrimi i tyre.
Së dyti, kërkesa e dytë për t’i marrë ishte që të hiqeshin nga lista e grupit terrorist, sepse ata ishin të listuar nga DASH si grup terrorist.
Kërkesa e tretë ishte që ata në Shqipëri do vinin nën ombrellën e OKB-së. Tani të ndalemi pak te kjo kërkesë, sepse ata duhet të gëzonin pavarësisht nga mikpritja shqiptare, të gjithë të drejtat e njerëzve refugjatë, të përcaktuara nga konventat ndërkombëtare dhe mbrojtjen e tyre. Autoritetet e SHBA i kanë pranuar këto kërkesa.
Tani, gjatë periudhës së negociuam dhe i sollëm, nuk parashikohej ngritje e një kampi. Alternativa jonë ishte marrja me qira e banesave në zona të ndryshme të Tiranës dhe natyrisht asistenca për jetën e tyre normale si mysafirë që do ishin. OKB-në nuk e thirrëm për të ndihmuar me ushqime, por për kuadrin e të drejtave të tyre.
Pa dyshim që kërkesë tjetër ishte që nga territori i Shqipërisë nuk mund të zhvillohej veprimtari në dëm të një shteti tjetër. Ata e kishin pasur këtë etiketën si grup terrorist dhe ne nuk mund të pranonim akte, veprime të armatosura, të nisura nga territori i Shqipërisë, të kryheshin nga grupi i muxhahedinëve të popullit.
Këto ishin kërkesat. Erdhi grupi i parë, nja 220 vetë. Më vonë, qeveria mori edhe 2700 të tjerë a 2800 të tjerë. Në mos gaboj, ata blenë tokën në Manëz, Edi Rama firmosi lejen e ndërtimeve dhe të kampit të tyre”- tha Berisha.
Sipas Berishës, muxhahedinët janë një organizatë e mirëfilltë politike të cilët kanë luftuar me gjithë mundësitë që kanë pasur kundër regjimit të Shahut dhe kanë vazhduar betejën kundër teokracisë së ajatollahëve.
“Muxhahedinët janë fronti i rezistencës kombëtarë të Iranit. Janë organizatë e mirëfilltë politike. Kanë organizimin e tyre në Europë, Iran dhe më gjerë.
Personalitete të shquara të SHBA dhe të Europës, që kanë ardhur dhe i kanë vizituar, kanë ardhur si miq te një organizatë politike. Këta që thonë se po merren me politikë, këta politikë bëjnë se nuk janë pa politikë.
Por, natyrisht se cilat janë kushtet që ka vendosur qeveria e mëpasme, nuk i bën publike, nuk e publikon as marrëveshjen, gjë që duhet të jetë transparente. Unë di që ombrella e OKB ka vazhduar.
Nuk po ndalem këtu në aktet e rezistencës së tyre, por këta kanë luftuar me gjithë mundësitë që kanë pasur kundër regjimit të Shahut dhe kanë vazhduar betejën kundër teokracisë së ajatollahëve.
Ajo që ndodhi dje ishte një akt i shëmtuar, jo se qeveria dhe autoritetet nuk kanë të drejtë të ushtrojë kontroll. Kjo nuk diskutohet. Por, të dyndesh më mijëra policë dhe të vritet tjetri dhe të thuash që nuk ka viktima, të thyesh këmbë e duar dhe të thuash që nuk është përdorur dhuna, këto janë shumë të rënda”- tha Berisha, duke shtuar se akuzat që rëndojnë ndaj muxhahedinëve janë të importuara nga regjimi i ajatollahëve.
Ish-kryeministri kërkoi një hetim nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, duke theksuar se autorët e dhunës duhet të dalin përpara gjyqit.
“Të gjitha këto kërkojnë një hetim ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë një hetim nga OKB që i ka në mbikëqyrje. Gjithashtu, autorët e dhunës duhet të dalin përpara gjyqit.
Si u vra ai që vdiq? Ata që kanë thyer kocka të refugjatëve, duhet të përballen me ligjin. Se thanë spraj, por spraji nuk thyen kocka. Është e domosdoshme një hetim që të nxjerrë abuzuesit me të drejtat e njeriut.
Në njoftimin e DASH ka një element të rëndësishëm që vetë këta shkelin të drejtat e njeriut. Kjo është absolutisht e rëndë. Edhe kjo duhet të jetë pjesë e hetimit të OKB-së. Nuk mund të përdoret kampi i strehimit për të dhunuar të drejtat e njerëzve të komunitetit. Se ai nuk është kamp ushtarak, është kamp refugjatësh”- tha Berisha.