Kina reagoi ashpër të mërkurën ndaj komenteve të presidentit amerikan Joe Biden, i cili e quajti udhëheqësin kinez Xi Jinping një diktator.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze i quajti deklaratat e Biden absurde dhe të papërgjegjshme.

“Komentet e palës amerikane janë jashtëzakonisht absurde dhe të papërgjegjshme dhe shkelin në mënyrë serioze faktet bazike, protokollin diplomatik dhe dinjitetin politik të Kinës. Ato janë një provokim i hapur politik. Kina është thellësisht e pakënaqur dhe i kundërshton ashpër ato”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning.

Përplasja vjen një ditë pasi Sekretari i Shtetit Antony Blinken përfundoi një vizitë në Pekin. Vizita e Blinken, gjatë së cilës ai u takua me Xi, kishte për qëllim lehtësimin e tensioneve midis dy superfuqive, por dukej se nuk kishte arritur ndonjë rezultat solid.