Kryetari i PD-së, Sali Berisha është shprehur se dënon ngjarjen në kampin e muxhahedinëve në Manzë të Durrësit.
Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, kryedemokrati Berisha është shprehur se ditën e sotme ndihet muxhahedin më shumë se kurrë dhe ka kërkuar që kjo çështje të futet menjëherë në rendin e ditës të seancës plenare.
Berisha ka kërkuar dorëhqjen e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi lidhur me ngjarjen në kampin e muxhahedinëve në Manzë.
Sali Berisha: Jam këtu për të deklaruar sot se në këtë moment ndihem më shumë se kurrë njëri prej tyre, ndjehem një muxhahedin, luftëtar i lirisë. U shpreh atyre ndjenjat e mia më të sinqerta të mbështetjes dhe simpatisë. Ndihem sot muxhahedin sepse qeveria amorale e këtij vendi vrau në bukë të vet, në strehë të vet, një luftëtar lirie. Ndihem sot muxhahedin më shumë se kurrë, sepse aktakuza e djeshme që lexuat, është historia më e turpshme për një vend. Ajo ishte e shkruar në Teheran. Aktakuza bazohej e tëra në shpifje, trillime të shërbimeve të ajatollahëve ndaj luftëtarëve të lirisë. Aktakuza përmbante elementë të poshtërimit ekstrem të Shqipërisë dhe shqiptarëve, sikur nuk është një vend anëtar i NATO-s, por sikur është një vasal i Iranit. Të marrësh ato për bazë, për të ushtruar një reprezalje më të turpshme në historinë e këtij vendi. Ndaj kërkoj largimin e menjëhershëm të ministrit të Brendshëm. Kërkoj të mbajmë një minutë heshtje për martirin e lirisë që ra për t’u bërë i pavdekshëm. Ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje!