Ditën e hënë, më 2 nëntor starton viti i ri akademik 2020-2021. Për shkak të pandemisë Covid-19 dhe numrave të të prekurve në rritje, Komiteti i Ekspertëve vendosi për zhvillimin e mësimdhënies online.
Në një mesazh për studentët para nisjes së vitit të ri, rektorja e UAMD-së, Kseanela Sotirofski i garanton ata se do të kenë “mbështetjen maksimale të personelit akademik dhe atij administrativ. Pedagogët tuaj do të punojnë me përgjegjshmëri, pasion dhe do të jënë më të përkushtuar se më parë për t’ju ofruar arsimin cilësor dhe ndihmë për rritjen tuaj profesionale.”
Në mesazhin e saj, Sotirofski sqaron gjithashtu të gjithë studentët, sidomos ata të vitit të parë sesi do të zhvillohet mësimdhënia online dhe ku duhet të drejtohen për të marrë përgjigje për të gjitha pyetjet e tyre që lidhen me platformën, tarifat, bursat etj.
Mesazhi i plotë:
Të dashur studentë,
Do të donim shumë që ditën e hënë t’ju mirëprisnim në auditorët e Universitetit “Aleksandër Moisiu”. Kjo dëshirë, që jam e sigurtë është e përbashkët, u pamundësua nga situata e COVID-19 dhe protokollet që ne jemi të detyruar të zbatojmë.
E megjithatë, sado i pazakontë qoftë ky vit akademik, jam e sigurtë që do të sjellë njohuri të reja dhe suksese për ju. Dua t’ju kërkoj që qasja juaj të jetë pozitive dhe krijuese, të jeni vigjilentë dhe të çelni mendjen për njohuri të reja, në klasën virtuale tani, dhe në auditor sa më shpejt të jetë e mundur.
Ju shkruaj për t’ju përcjellë mesazhin që të gjithë ju do të keni mbështetjen maksimale të personelit akademik dhe atij administrativ. Pedagogët tuaj do të punojnë me përgjegjshmëri, pasion dhe do të jënë më të përkushtuar se më parë për t’ju ofruar arsimin cilësor dhe ndihmë për rritjen tuaj profesionale.
Të dashur studentë të vitit të parë,
Mësimdhënia online do të zhvillohet përmes Platformës Moodle. Kredencialet e hyrjes në platformë (login dhe password) do të mbërrijnë në emailet tuaja.
Studentët e viteve të dyta dhe të treta, do të lidhen me platformën Moodle përmes Sistemit Pitagora.
Ju bëj me dije se javën e ardhshme ne do të organizojmë një “Javë Orientimi” online. Aty do t’ju sqarojmë mbi funksionimin e universitetit, platoformën e mësimit online dhe informacione të tjera të rëndësishme. Mbi agjendën e kësaj jave klikoni këtu: https://bit.ly/3kQqIcQ
Për pyetje që mund të keni mbi platformën, tarifat, bursat, klikoni këtu: https://bit.ly/2HPA8qa
Faleminderit me zemër për qëndrimin dhe kujdesin që keni treguar për njëri-tjetrin gjatë kësaj kohe sfiduese dhe urimet më të përzemërta për një semestër të suksesshëm.
Do të jemi gjithmonë pranë jush!
Së bashku do t’ia dalim!
Prof. Dr. Kseanela Sotirofski
Rektor





