Gati 2 milionë njerëz pritet të marrin pjesë në pelegrinazhin e Haxhit, më i madhi në vite. Është gjithashtu i pari që zhvillohet pa kufizime pas pandemisë së koronavirusit.
Miliona besimtarë kanë arritur në Mekë, qyteti më i shenjtë i Islamit, për pelegrinazhin më të madh të Haxhit në vite, pavarësisht vapës së madhe të Arabisë Saudite.
Sipas zyrtarëve sauditë, afro 1.5 milionë pelegrinë të huaj kanë mbërritur në vend deri më tani për pelegrinazhin vjetor.
Autoritetet kanë thënë se presin që numri i pelegrinëve në vitin 2023 të arrijë nivelet para pandemisë pasi Haxhi i këtij viti do të jetë i pari pa kufizimet e vendosura gjatë pandemisë së koronavirusit.
Në vitin 2019, afro 2.5 milionë njerëz morën pjesë në pelegrinazh. Rregulloret e COVID-19 e ulën atë numër në rreth 10,000 në 2020, pastaj 60,000 në 2021 dhe 926,000 në 2022.
“Ndërsa Haxhi po afrohet, Mbretëria e Arabisë Saudite përgatitet për tubimin më të madh islamik në histori,” tha Ministri i Haxhit dhe Umrah Tawfiq Al-Rabiah në një video të postuar nga ministria në fillim të kësaj jave.
Më shumë pelegrinë pritet të mbërrijnë përpara fillimit të Haxhit të hënën. Rabiah tha se 2 milionë njerëz nga mbi 160 vende do të marrin pjesë në ritualet këtë vit.
Ndërkohë, të premten, pelegrinët me petka të bardha dhe sandale u panë në qytetin e shenjtë teksa hynin me avionë, autobusë dhe trena.
Haxhi është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe nga të gjithë myslimanët me mundësi kërkohet që ta bëjnë atë të paktën një herë në jetën e tyre.