Aktivistët e qendrës “Durrësi Aktiv” kanë protestuar mesditën e sotme në sheshin “Pranvera” në Durrës ku prej disa javësh zona i është nënshtruar rehabilitimit.
Ndërsa denoncuan zgjatjen e punimeve në këtë shesh, aktivistët u shprehën se i janë drejtuar Bashkisë së Durrësit dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, që është dhe financuesi i këtij projekti për mungesën e përfshirjes së korsive të biçikletave.
“Më 6 maj kemi dërguar një kërkesë zyrtare Bashkisë Durrës dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit duke i kërkuar të përfshijë në investimet e reja korsitë e biçikletave. I kemi kërkuar gjithashtu që për këto projekte të zhvillojë dëgjesa dhe konsultime publike, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje deri më sot”, thotë Ogert Keçi.
“Edhe sa përdorues biçiklete duhet të vdesin që bashkia Durrës të zgjohet dhe të marrë masa për t’i mbrojtur?”
Është kjo pyetja që ngre Livia Kreko, një tjetër aktiviste e “Durrësit Aktiv” ndërsa solli në vëmendje numrin e lartë të të aksidentuarve në Durrës, përdorues të biçikletave.
Kreko ritheksoi kërkesën e tyre drejtuar qeverisjes vendore për të përfshirë në investimet e fundit korsitë e biçikletave.
“Ne e kuptojmë që nuk janë tendera aq fitimprurës sepse ne nuk kërkojmë rrugë me pllaka mermeri siç bashkia po shtron trotuarët. Ne kërkojmë një rrip rruge që të jetë i kufizuar dhe i mbrojtur kur të lëvizim me biçikletë.”
Më tej aktivista u shpreh se Durrësi ka një ndotje të lartë ndaj është e nevojshme nxitja e përdorimit të këtij mjeti lëvizës.
Ndërsa Klaudio Hyseni, drejtor ekzekutiv i Qendrës “Durrësi Aktiv”, u shpreh se bashkia duhet të marrë masa që çdo rrugë e re të ketë korsitë e biçikletave, dhe për këtë kanë bërë kërkesa të përsëritura.
“I kemi bërë thirrje Bashkisë Durrës, thirrje të përsëritura për të marrë masa në shtimin e infrastrukturës dhe korsive të biçikletave. Kjo është një protestë simbol për të gjithë viktimat që kanë humbur jetën në aksidentet rrugore në qytetin e Durrësit. Ju lutem na dëgjoni fjalën tonë!”, përfundoi ai.
Aktivistët improvizuan më pas eskena aksidentesh me biçikletë, duke u shtrirë masivisht në rrugë.





