Aldi Gjumsi është afrimi më i fundit i Teutës në merkaton e verës. Mesfushori i krahut ka firmosur kontratën me klubin durrsak, duke u bërë i dyti përforcim pas kuksianit Ergys Peposhi. 21-vjeçari vjen pas aktivizimit tek Tirana në tri sezonet e fundit. Ai është prodhim i akademisë bardheblu, ndërsa në kampionatin e kaluar u aktivizua në 17 ndeshje. Teuta po synon të afrojë disa të rinj të afirmuar që i përshtaten filozofisë së trajnerit Diego Longo.

Ndërkaq Teuta bën një tjetër përforcim në merkato pas firmave me Ergys Peposhin dhe Aldi Gjumsin. Afrimi i tretë i durrsakëve është qendërsulmuesi fierak, Mario Gjata, i cili mbylli sezonin te Apolonia në Kategorinë e Parë. Në kampionatin e fundit, në 22 ndeshje të luajtura, shënoi gjashtë gola për fierakët, me të cilët ka qenë edhe në Superiore.

Dy sezone më parë, shtatlarti ka qenë pjesë e Dinamos në elitë, por një dëmtim i rëndë bëri që të luante vetëm tri ndeshje. Gjata mund të jetë pika e referimit në sulmin durrsak në sezonin e ri, pasi 22-vjeçari ka karakteristikat e një bomberi që mund të shpërthejë në Superiore.