Një 24-vjeçar është arrestuar në flagrancë në kuadër të operacionit policor të koduar “Përdorimi”, pasi dyshohet se përdorte kartëmonedha euro të falsifikuara për të kryer pagesa.

Sipas Policisë së Durrësit, operacioni u zhvillua nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kavajë dhe nën drejtimin e Prokurorisë, pas një kallëzimi se një person kishte paguar me kartëmonedha të dyshuara të falsifikuara në një pikë karburanti.

Nga hetimet rezultoi se shtetasi me iniciale M. Rr., 24 vjeç, kishte furnizuar automjetin me karburant në një pikë karburanti në fshatin Sinaballaj, Rrogozhinë, dhe kishte paguar me tre kartëmonedha 20 euro, të dyshuara të falsifikuara.

Gjatë kontrollit fizik, policia gjeti në portofolin e tij edhe 10 kartëmonedha të tjera me prerje 20 euro, po ashtu të dyshuara të falsifikuara.

Në total u sekuestruan 13 kartëmonedha 20 euro, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast.