Policia e Durrësit ka kapur orët e vona të natës 26-vjeçarin që akuzohet se vodhi me dhunë një shumë parash nga kasa e një supermarketi.

DurrësLajm” ka siguruar foton e autorit gjatë momentit të arrestimit, rreth orës 01:00 të natës.

I riu me iniciale F.S. mbante veshur po të njëjtë bluze të kuqe, fanellë të Liverpulit.

Ngjarja ndodhi ditën e djeshme më 24 gusht, rreth orës 15:00, në lagjen nr. 17, kur 26-vjeçari ka marrë me dhunë një shumë parash nga kasa e një marketi dhe është larguar.

NJOFTIMI I POLICISË:

Kapet dhe vihet në pranga 26-vjeçari që vodhi dje, një shumë parash në kasën e një marketi.

26-vjeçari, me precedent penal për vjedhje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan shtetasin F. S., 26 vjeç, banues në Durrës, pasi nga hetimet dyshohet se më datë 24.08.2026, rreth orës 15:00, ka vjedhur një shumë parash në kasën e një marketi në lagjen nr. 17, Durrës.

Ky shtetas u identifikua menjëherë pas vjedhjes dhe u kap nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, disa orë pas krimit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”.