Pallati 5 katësh, në rrugën “Petraq Boshnjaku”, po i nënshtrohet rikonstruksionit të fasadës.
Godina rreth 50-vjeçare, që ndodhet në lagjen nr.4, kishte fasadë të pasuvatuar dhe prej vitesh kishte nisur të shfaqte dëmtime të shkaktuara nga amortizimi ndër vite dhe faktorët atmosferikë. Për këtë arsye, banorët prej vitesh kërkonin nga bashkia ndërhyrje.
Pas ndërhyrjes në godinën 3 katëshe në plazhin e Durrësit, punimet e rikonstruksionit janë spostuar tashmë në qendër të qytetit bregdetar. Banorët shprehen mjaft të kënaqur dhe shpresojnë që ndërhyrja do të ndikojë në jetëgjatësinë e godinës.
Punimet për rehabilitimin dhe rikonstruksionin e fasadave të pallateve po kryhen me fondet e bashkisë dhe në projekt janë përfshirë edhe 3 pallate në lagjen nr.1.
Ndërhyrjet po bëhen në kuadër të përmirësimit të cilësisë së infrastrukturës urbane dhe estetikës së hapësirave publike, por ajo që bie në sy në këtë rrugë janë rrjetat e merimangave të krijuara nga kabllot ajrorë të internetit. Nuk dihet ende, nëse pas rikonstruksionit të fasadave do të ndërhyhet edhe për sistemimin e kabllove në rrjetin nëntokësor.
M.B.





