Një 66-vjeçar spanjoll është zhdukur në ujërat e Mesdheut, pasi ra në det nga varka e tij me vela, ndërsa familja e tij kërkon që autoritetet e Italisë dhe Greqisë të shtojnë burimet për kërkimin e tij.

Juan José Mutilba, biznesmen në pension nga Burgos, ra në det më 18 gusht, teksa ndodhej në një zonë detare mes Siçilisë dhe Greqisë. Autoritetet u njoftuan vetëm tre ditë më vonë, më 21 gusht, pasi partnerja e tij, e cila ndodhej në varkë, nuk mundi ta ndalonte mjetin lundrues dhe nuk kishte mundësi të komunikonte me autoritetet.

Sipas djalit të tij, Sergio Mutilba, 66-vjeçari ishte duke peshkuar një ton kur rrëshqiti në gjakun e peshkut dhe përfundoi në det. Ai i bërtiti partneres së tij që të ndalonte varkën, por ajo, e përfshirë nga paniku, nuk mundi ta manovronte atë.

Familja beson se fakti që varka ishte e re dhe më e madhe se ajo që çifti kishte përdorur më parë mund të ketë ndikuar në situatë. Juan José kishte përvojë të madhe në lundrim, ndërsa partnerja e tij nuk ishte mësuar ende me përdorimin e mjetit.

Partnerja e 66-vjeçarit kaloi tre ditë e vetme në det, ndërsa varka vazhdonte të lundronte. Ajo ndodhet tashmë në Madrid, ku po qëndron pranë motrës së saj dhe ka marrë edhe ndihmë mjekësore e psikologjike.

Sergio, i cili kaloi disa ditë në Pylos, ku prindërit e tij pritej të mbërrinin pas udhëtimit nga Siçilia, tregon se nëna e tij ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike.

“Ajo donte të qëndronte atje derisa të gjendej babai im. Nuk mund ta kuptojë”, tregon ai, duke shprehur shqetësimin për tre ditët që nëna e tij kaloi e vetme në det.

Italia dhe Greqia koordinojnë kërkimet

Kërkimi për Juan José po koordinohet nga autoritetet italiane dhe greke, ndërsa familja merr informacion përmes shërbimit spanjoll të shpëtimit detar, Salvamento Marítimo.

Sipas Sergio-s, autoritetet u kanë thënë se zona është kontrolluar disa herë dhe se familja do të marrë përditësime të rregullta mbi operacionin.

Megjithatë, familja kërkon që të angazhohen më shumë burime për gjetjen e 66-vjeçarit.

“Ne duam që të vazhdojnë ta kërkojnë. Është shumë e vështirë, por kemi shpresë”, tha Sergio për median spanjolle “El País”.

Ai tregon gjithashtu se ka kontaktuar Ministrinë e Brendshme të Spanjës, por familja ende nuk ka marrë një shpjegim të plotë mbi mënyrën se si po zhvillohet operacioni i kërkim-shpëtimit.

Juan José ishte pensionuar në vitin 2021, pasi kishte krijuar më parë një kompani IT dhe më pas një biznes që merrej me shpërndarjen e kontejnerëve të ujit për zyra.

Pas daljes në pension, ai dhe partnerja e tij udhëtuan në vende të ndryshme të botës, kryesisht në Mesdhe. Këtë vit, çifti kishte blerë një varkë më të madhe, por që ishte edhe më e vështirë për t’u përdorur.

“Babai im dinte ta përdorte në mënyrë të përsosur, sepse kishte përvojë në lundrim, por ndoshta nëna ime jo”, shpjegon Sergio.

Ai kujton momentin kur mbërriti në Pylos dhe pa varkën e prindërve të tij.

“Kur mbërrita te varka në Pylos, e kuptova situatën. Pashë detin dhe… ishte shumë e vështirë për mua. Duke parë varkën dhe gjërat e saj, kaq shumë gjëra më kalonin nëpër mendje”, rrëfen ai.

Familja tashmë pret çdo informacion të ri nga autoritetet, ndërsa Sergio këmbëngul se, pavarësisht vështirësive të operacionit, kërkimet duhet të vazhdojnë deri në shterimin e të gjitha mundësive.

“Do të jetë shumë e vështirë ta gjejmë, por kemi shpresë”, përfundon ai.