Gjithnjë e më shumë njerëz po përdorin mjete digjitale për transaksionet ditore. Në këtë kontekst, Komisioni Evropian prezantoi të mërkurën një propozim për të qarkullimin e euros digjital.
Një euro digjital është në thelb një para elektronike dhe u jep konsumatorëve një alternativë pagese në nivel evropian, krahas opsioneve që ekzistojnë sot.
“Me euron digjitale, njerëzit do të mund të paguajnë para publike. Do të mund të paguajnë online dhe offline. Duke pasur një portofol me euro digjital në telefonin apo pajisjen tuaj do të jetë njësoj si të keni kartëmonedha apo monedha në xhep. Ju do të mund të paguani me të njëjtën lehtësi, pa pasur nevojë për lidhje interneti”, -tha Vladis Dombrovskis, zëvendës president i Komisionit Evropian.
Sipas të dhënave të Komisionit, 55 për qind e qytetarëve të BE-së paguajnë pa para kesh, kundrejt 22% të atyre që preferojnë paratë e thata dhe 23% që nuk kanë një preferencë.
Propozimi ka pasur megjithatë kundërshtime nga njerëzit për shkaqe që lidhen me privatësinë dhe bankat për regjistrimet bankare.
KE u përpoq t’i largojë këto shqetësime me klauzola sigurie për të gjitha palët.
Ligji përfundimtar duhet të mbështetet nga 27 vendet anëtare të BE-së dhe Parlamenti Evropian. Ndërkohë, BQE pritet të japë dritën e gjelbër për euron digjital në tetor, me synim për ta përdorur në 2027-n.