Aktori amerikan, fitues i çmimit “Oscar”, Alan Arkin vdiq sot në moshën 89-vjeçare.

Djemtë e tij Adam, Matthew dhe Anthony konfirmuan vdekjen e babait të tyre në një deklaratë për “People”.

Sipas “Variety”, ai vdiq në shtëpinë e tij në Carlsbad, Kaliforni.

Gjatë karrierës së tij, Arkin fitoi një “Oscar” për rolin e tij në komedinë e errët të vitit 2006 “Little Miss Sunshine”, dhe një “Tony”, çmimi Antoinette Perry për Përsosmëri në Teatrin Broadway, në 1963 për “Enter Laughing”.

Arkin u lind në Brooklyn në vitin 1934, por u transferua në Los Anxhelos 11 vjet më vonë kur babai i tij David, një piktor, filloi të punonte në Los Anxhelos si skenograf.

Alan ishte pjesë e një grupi folklorik të quajtur “Tarriers”, i cili në vitin 1957 lançuan një këngë hit “The Banana Boat Song”.

Ai vendosi t’i dedikohej aktrimit, dhe në fillim të viteve 1960 punoi me trupën legjendare të komedisë, “Second City”.

Në vitin 1963 Alan debutoi në Broadway në “Enter Laughing”, një shfaqje e bazuar në një roman gjysmëautobiografik të Carl Reiner.

Dalja e tij e parë në Broadway ishte një triumf, Alan mori vlerësimin e kritikëve, si dhe një çmim “Tony” për aktorin më të mirë të paraqitur në një shfaqje.

Në vitin 1967, Alan u nominua për herë të parë për çmim “Oscar” për rolin e tij në satirën e Luftës së Ftohtë “The Russians Are Coming”.