Shpërthimi në bordin e nëndetëses iu mori jetën të pesë personave në bord, duke rrëmbyer vëmendjen e të gjithë botës. Pasagjerët kishin shpenzuar 250 mijë dollarë për atë që në fund rezultoi një biletë drejt vdekjes.

E megjithatë “OceanGate” duket se nuk ka ndërmend të heq dorë nga ekspeditat e saj. Në faqen zyrtare të kompanisë ende mund të shihni oferta për udhëtime drejt mbetjeve të Titanikut, si dhe “ekspedita” të tjera.

“Çdo ekspeditë kushton 250,000 dollarë për person, ofron një zhytje nënujore, akomodim privat, trajnim të nevojshëm dhe pajisje ekspedite. Kapaciteti maksimal i nëndetëses është i kufizuar në gjashtë persona,” thuhet aty.

Gjithashtu, theksohet se pasagjerët në udhëtime të tilla marrin një përvojë emocionuese dhe unike. “Nëndetësja jo vetëm që do t’ju ofrojë një përvojë udhëtimi emocionuese dhe unike, por gjithashtu do të ndihmojë komunitetin shkencor të mësojë më shumë rreth mbytjes së Titanikut dhe thellësive të oqeanit. Çdo zhytje ka gjithashtu një qëllim shkencor dhe ju mund të mësoni më shumë rreth kërkimit tonë në faqe“, thuhet në faqen e internetit të kompanisë.

Nëndetësja “Titan” humbi kontaktin me anijen që priste në sipërfaqe më pak se dy dorë pas zhytjes. Ky moment u pasua nga disa ditë kërkimesh intensive, por në fund u mësua se kishte pasur një shpërthim në bord, i cili nuk i kishte lënë pesë personave aty asnjë mundësi mbijetese.