Presidenti rus, Vladimir Putin bëri daljen e tij të parë publike nderkombetare që nga rebelimi i grupit mercenar Wagner. Në forumin ndërkombëtar me aleatët aziatikë, kreu i Kremlinit u shpreh se Rusia është më e fortë se kurrë, pavarësisht kryengritjes së Wagner.

“Qarqet politike ruse dhe e gjithë shoqëria demonstruan qartë unitetin e tyre dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë për fatin e atdheut kur u përgjigjën si një front i bashkuar kundër një tentative kryengritjeje të armatosur.”

Theksi i Putinit mbi unitetin e Rusisë dukej se tregoi se sa i prirur ishte ai për të hequr çdo dyshim se autoriteti i tij ende mbizotëron, jo vetëm në Rusi, por edhe në skenën botërore pas rebelimit jetëshkurtër të udhëhequr nga themeluesi mercenar i Wagner, Yevgeny Prigozhin në fund të muajit të kaluar.

“Dua të theksoj se Rusia po i reziston me besim dhe do të vazhdojë t’i rezistojë presionit të jashtëm, sanksioneve dhe provokimeve. Në mjedisin aktual, vendi ynë vazhdon të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme. Populli rus është i konsoliduar si kurrë më parë.”

Ndërkaq, Rusia pretendon se zmbrapsi një sulm ukrainas me dronë në Moskë. Ministria ruse e Mbrojtjes bëri të ditur se pesë dronë ukrainas u rrëzuan në periferi të Moskës, pasi u goditën nga mbrojtja raketore kundërajrore.

Dronët ranë në qytezën e Kubinkës që ndodhet 36 kilometra në jugperëndim të aeroportit ndërkombëtar të Vnukovos, një prej tre kryesorëve të Moskës. Autoritetet ruse pezulluan ulje-ngritjet e avionëve, për shkak të rrezikut që mund të përbënte fluturimi i të tjerë dronëve drejt këtij aeroporti, i cili dyshohet të ketë qenë në shenjestër të sulmeve ukrainase.

Nga kjo ngjarje, zyrtarët rusë thanë se nuk pati viktima apo dëme materiale. Kievi nuk ka bërë asnjë koment për këtë rast. Sulmet me dronë në territorin rus janë shtuar muajt e fundit, ku më i rrezikshmi ishte ai mbi Kremlin, që sipas Moskës synonin të godisnin presidencën ruse.