Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, është shprehur kundër projektligjit për ndalimin me detyrim për 5 vite për studentët e Mjekësisë që të punojnë në vendin e tyre dhe më pas kanë të drejtë të largohen.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Açka i bëri thirrje maxhorancës që të tërhiqet, pasi ky projektligj do të ketë pasoja.
“Zonja ministre ka qenë në një mendje me ne, shqiptarëve, djemtë tanë mos të na ikin. Para se të ndodhë kjo, duhet të bëjmë atdheun e jetueshëm. Nuk keni pse të nxitoheni. Nuk është konsultuar ky projektligj, që janë vetë studentët. Nuk është bërë asnjë konsultim publik. Ndaj nuk duhet nxitim. Nëse nuk i keni bërë mirë detyrat, mbaroni ato punë dhe krijoni mjedisin e këndshëm për të sqaruar njerëzit. Jam e sigurt që studentët do të protestojnë. Edhe unë jam për të marrë masa që fëmijët mos të na ikin, por jo në këto masa. I kam thënë një zonje të Bundestagut, që u ankua se vijnë shumë emigrantë shqiptarë në Europë e Gjermani, dhe i thashë; keni marrë mjekët tanë, dhe frizieren time e keni marrë. Jua japim të gatshëm.
Por na jepni para nëse i merrni, se po i merrni të gatshëm. Nuk duhet ta kaloni pa diskutim këtë masë, edhe pa konsultimin e studentëve. Ju këshilloj që të bëni një hap pas, pasi do të jetë një precedent që do të ketë pasoja, edhe për ju si maxhorancë.”, tha Açka.