Kreu i agjencisë së spiunazhit të Ukrainës, GRU, ka analizuar gjendjen pas rebelimit jetëshkurtër të shefit të Wagnerit, Yevgeny Prigozin.
Gjeneral-major Kyrylo Budanov tha se është bërë një studim i brendshëm sekret i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Rusisë (MVD) ku është ekzaminuar situata për të përcaktuar nivelet e mbështetjes publike për kryengritjen.
Ai tha se zbuloi se gjatë rebelimit, themeluesi i Wagnerit kishte mbështetje popullore në 17 nga 46 rajonet e Rusisë, krahasuar me 21 për presidentin rus, Vladimir Putin, ndërsa mbështetja për secilin prej tyre ishte e ngjashme në rajone të tjera.
“Kjo është ajo që ne shohim tani që shoqëria ruse është copëtuar në dy pjesë”, tha gjenerali Budanov për The Times.
“Situata po tregon pikërisht atë për të cilën ka folur shërbimi ynë: se Federata Ruse është në prag të luftës civile. Duhet të ketë një ‘çështje’ të vogël të brendshme dhe konflikti i brendshëm do të intensifikohet”, shtoi ai.
Ndryshe, Prigozhin pas dështimit të puçit ushtarak kishte shkuar në Bjellorusi gjersa presidenti i këtij vendi, Alexander Lukashenko ka deklaruar sot se shefi i Wagnerit është rikthyer në Rusi.