Tashmë, aksi rrugor Orikum-Dukat është i hapur për qarkullimin e automjeteve.

Kryeministri Edi Rama ka postuar mëngjesin e sotëm në Facebook-un e tij pamje nga ky aks si dhe intervista të udhëtarëve të cilët shprehen mëse të kënaqur me infrastrukturën.

“Këtë vit jemi shumë të kënaqur, e shkurtër dhe shumë e shpejtë”, shprehet njëri prej tyre. Ndërsa një turist thotë se rruga e re të jep një ndjesi pozitive sepse lidh dy pjesë shumë të vështira.

“Mirëmëngjes, dhe me opinionet e qytetarëve dhe vizitorëve të huaj për aksin rrugor më të ri, Orikum – Dukat, tashmë i hapur për qarkullimin e automjeteve, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan kreu i qeverisë.

Kujtojmë se ky aks u hap zyrtarisht të premten, ditë në të cilën edhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku pa nga afër punimet duke theksuar se rruga është hapur përpara afatit me qëllim lehtësimin e lëvizjes. Së bashku me bypass-in e Vlorës dhe së shpejti edhe tunelin e Llogarasë, kjo rrugë do të afrojë ndjeshëm të gjitha plazhet e kaltra të Jugut.

15 kilometrat e reja të Orikum-Dukat shkurtojnë maksimalisht distancën drejt bregdetit, duke i dhënë një frymëmarrje të re turizmit dhe ekonomisë.