Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi, në një prononcim për mediat, tha se mazhoranca i dha kohë Arben Ahmetajt të arratiset.

Bardhi shtoi se në mbledhje opozita ka pyetur SPAK nëse kanë informacione se ku ndodhet Ahmetaj dhe shteti që ai përmendi ishte Kanadaja duke ngritur spekulimet për vendndodhjen e Ahmetajt.

“Kam pyetur Dumanin se ku ndodhet Ahmetaj, por nuk kam marrë përgjigje nëse ai ndodhet në Kanada apo jo. Nuk dua të aludoj për vendndodhjen e Ahmetajt kësisoj. Informacionin që patëm ne ia vumë në dispozicion prokurorisë dhe u konfirmua se ai nuk ndodhet në Shqipëri. Mes ditës së kërkesës së SPAK dhe ditës së sotme kanë kaluar 3-4 ditë, kohë e mjaftueshme për largimin e Ahmetajt dhe arratisjen. Pyetjet tona kishin të bënin me motivin politik të kërkesës. Nuk kemi marrë përgjigje nga prokuroria për vilën e Ahmetajt në Palasë, të cilët pretendojnë se e ka marrë nga një personazh Edmond Begaj, i lidhur me mazhorancën. Nesër do dëgjojmë pretendimet e avokatëve të Ahmetajt që kërkuan të shqyrtojnë provat. Avokatët ndërkohë kanë kërkuar 24 orë të tjera, dhe me gjasë autoriteti jepet javën që vjen, dhe kjo është një vonesë që nuk ka ndodhur herët e tjera. Për Tahirin është marrë vendimi brenda dy ditëve”, tha Bardhi./