Ministria suedeze e Mbrojtjes ka njoftuar marrëveshje të reja me Ukrainën për shkëmbimin e inteligjencës dhe përshpejtimin e dërgesave të pajisjeve ushtarake.

Sipas marrëveshjes, Stokholmi dhe Kievi do të jenë në gjendje të ndajnë informacione konfidenciale në lidhje me avionët luftarakë JAS Gripen dhe pajisje të tjera ushtarake. Suedia ka rënë dakord më parë të trajnojë pilotët ukrainas në avionët e saj Gripen, por nuk ka siguruar avionin.

Si pjesë tjetër e marrëveshjes së re, Ministria Suedeze e Mbrojtjes do t’i mundësojë Ukrainës të blejë pajisje ushtarake direkt nga industria suedeze e armëve për të përshpejtuar procesin.

Marrëveshjet u nënshkruan në samitin e NATO-s në Vilnius nga ministri i jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba, ministri i mbrojtjes Oleksii Reznikov, ministri suedez i mbrojtjes Pal Jonson dhe Goran Martensson, drejtori i agjencisë së prokurimeve të Ministrisë suedeze të Mbrojtjes.

“Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve, ne po ndërmarrim hapa të mëtejshëm për të ndihmuar në forcimin e aftësive mbrojtëse të Ukrainës dhe për të mundësuar blerjen e pajisjeve të mbrojtjes të prodhuara rishtazi direkt nga industria,” komentoi Jonson.

“Ne do ta mbështesim Ukrainën për aq kohë sa do t’i duhet asaj për të fituar luftën, për të rifituar lirinë dhe rindërtuar vendin e tyre.”