Udhëheqësit e Greqisë dhe Turqisë kanë rënë dakord të rifillojnë bisedimet, teksa përshëndetën një “klimë pozitive” të re në lidhjet e tyre që historikisht kanë qenë problematike.

Dy vendet fqinje kanë qenë në mosmarrëveshje për dekada për disa çështje, duke përfshirë burimet e energjisë, fluturimet mbi detin Egje dhe Qipron e ndarë etnikisht.

Të mërkurën, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, të cilët të dy u rizgjodhën së fundmi, u takuan në samitin e NATO-s në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius.

“Është në dobi të të dy vendeve që klima pozitive e formuar në marrëdhëniet dypalëshe gjatë muajve të fundit të vijojë,” thanë zyrat e dy liderëve në deklaratat pas takimit.

“Të dy palët ranë dakord të ndërtojnë mbi momentin pozitiv dhe të aktivizojnë kanale të shumta komunikimi midis dy vendeve në periudhën e ardhshme”, shtohet në deklaratë, duke theksuar se të dy liderët presin “kontakte më të shpeshta në të gjitha nivelet”.