Alarmi i kuq është lëshuar në 15 qytete në të gjithë Italinë, pasi vapa ekstreme vazhdon të prekë Europën Jugore. Alarmet, të cilat tregojnë rreziqe edhe për njerëzit e shëndetshëm, zbatohen për pikat e nxehta turistike, duke përfshirë Romën, Firencen dhe Bolonjën për ditët në vijim.

Temperaturat rekord priten në Europë javën e ardhshme me afrimin e një vale tjetër të nxehtë.

Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) thotë se Italia, Spanja, Franca, Gjermania dhe Polonia mund të shohin kushte ekstreme. ESA monitoron temperaturat e tokës dhe detit nëpërmjet satelitëve të saj.

Temperatura më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë në Evropë ishte 48.8 gradë Celsius në Siçili në gusht 2021, dhe parashikimet sugjerojnë se nivele të ngjashme mund të arrihen këtë javë.

Qeveria italiane ka këshilluar këdo në zonat e mbuluara nga alarmi i kuq i së shtunës që të shmangë rrezet e diellit nga ora 11:00 deri në orën 18:00 dhe të kujdeset veçanërisht për të moshuarit ose personat vulnerabël.

Ndërkohë, Greqia ka arritur temperaturat 40C ose më shumë ditët e fundit. Akropoli, atraksioni më i njohur turistik i vendit, u mbyll gjatë orëve më të nxehta të së premtes për të mbrojtur vizitorët.

Vala e të nxehtit Cerberus, e quajtur nga Shoqëria Meteorologjike Italiane sipas përbindëshit me tre koka që shfaqet në Ferrin e Dantes, shoqëroi këtë javë që po mbyllet.

Parashikuesit italianë të motit po paralajmërojnë se vala e ardhshme e të nxehtit, e quajtur Charon, do të shtyjë temperaturat mbi 40C javën e ardhshme.