Pas 8 muajsh hetim, gjykata e Korcës ka lënë të lirë 18-vjeçarin, Devis Hoti cili u arrestua si i dyshuar për vrasjen e 45-vjeçarit Flamur Duci, nga fshati Mborje.
Gjykata e Korcës ndryshoi masën e sigurisë për 18-vjeçarin nga arrest me burg me detyrim paraqitje, pasi nga analiza e ADN-së e një fijeje floku të gjetur në thikën me të cilën u vra pronari i dyqanit, nuk i përkiste të riut të dyshuar si autor i vrasjes.
Nëna e 18-vjeçarit tha se djali u mbajt padrejtësisht për 8 muaj në burg pa asnjë provë, ndërsa kërkoi që policia të gjejë autorin e vrasjes së 45-vjeçarit Duci me të cilin janë edhe kushërinj.
Valbona Hoti u shpreh se djali i saj është i pafajshëm dhe këtë e tregoi edhe vendimi i gjykatës. Më 19 dhjetor të vitit të kaluar, u gjet i vrarë me thikë para dyqanit të tij në fshatin Mborje, Flamur Duci. Policia arrestoi pas përgjimeve ambientale si autor të dyshuar Devis Hotin, i cili sipas grupit hetimor ishte konflikuar me viktimën për motive banale.





