Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka kërkuar që të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së, vetëm dy ditë para zgjedhjeve për kryetarin e ri të Partisë Demokratike.
Bardhi ka thirrur mbledhjen bazuar në kompetencat që i njeh Statuti, që kur partia është pa kryetar. Sipas tij, statuti parashikon që është Sekretari i Përgjithshëm ai që ka të drejtën të thërrasë mbledhjen e Këshillit Kombëtar.
Bardhi tha se Këshilli Kombëtar do të mblidhet më datë 27 korrik ora 19:00.
Mbledhja e Këshillit Kombëtar parashikohet të zhvillohet online dhe për organizimin e saj Sekretari i Përgjithshëm ka ngarkuar Sekretariatin e Këshillit Kombëtar.
7 deputetë të Partisë Demokratike, paraqitën të hënën një raport ku kanë bërë një vlerësim të legjimitetit të vendimeve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Sipas hulimtimeve të kryera, 276 anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD, nga 459 gjithsej, janë kundër zgjedhjeve të 29 korrikut për kreun e ri të PD.
Në këto kushte, deputetët e PD, kërkuan nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi që të mbledhë Këshillin Kombëtar, në mënyrë që të mos ndërmerren veprime të njëanshme që përçajnë akoma më shumë Partinë Demokratike.