Marash Kumbulla është dalluar edhe jashtë fushës së blertë, e për këtë mund të flasë shumë ish-profesori i tij i gjimnasit.
Ish-mësuesi i lojtarit aktual të Romës, në një intervistë për Corriere Dello Sport, është shprehur se Kumbulla nuk mungonte kurrë, edhe pse vinte me tren e më pas duhej të mendonte edhe për futbollin.
Ndërkohë, ai tregon se në atë kohë, mbrojtësi është njohur edhe me Gretën, të cilën ai vazhdon ta ketë si partnere.
“Edukatë dhe sens i masës. Nëse më duhet të mendoj për dy aspektet që e dallonin Marashin, janë pikërisht këto. Në mësim ishte serioz dhe jepte respekt.
Kishte aftësinë për të ruajtur përqendrimin edhe në raste kur ndoshta shokët e tij e kishin harruar ku ndodheshin. Kam qenë mësues i tij në vitin shkollor 2017-2018, në një shkollë në periferi të Veronës dhe nuk mbaj mend një rast të vetëm që Kumbulla të ketë munguar.
E të mendosh që vinte me tren e më pas nxitonte për të shkuar në stërvitje të Primaverës por edhe shumë shpesh me ekipin e parë të Veronës.
Asokohe u njoh edhe me Gretën, të dashurën e tij aktuale, u diplomuan shkëlqyeshëm. Dua të shpresoj se do të kenë pjekurinë të kalojnë me sukses edhe testin e të jetuarit në një qytet të madh si Roma”, ishin fjalët e ish-profesorit të Kumbullës.





