Ministri i jashtëm grek Jorgos Gjerapetritis ka reaguar sërish lidhur me refuzimin e kërkesës për masë më të butë sigurie nga Gjykata e Lartë për Fredi Belerin.
Sipas ministrit të Jashtëm grek ky vendim është negativ dhe ka paralajmëruar Shqipërinë të respektojë shtetin e së drejtës nëse do të jetë pjesë e familjes europiane.
Gjithashtu Gjerapetritis i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare të sigurojë betimin e menjëhershëm të Belerit brenda apo jashtë burgut.
“Vendimi i Gjykatës së Lartë të Tiranës për rrëzimin e ankimit të kryebashkiakut të paraarrestuar të Himarës, Fredi Beleri për lirim nga burgu me kushte kufizuese vjen si shtesë e vendimeve të mëparshme të gjykatave shqiptare, të cilat në thelb i heqin z. Beleri të drejtën për të betuar dhe marrë përsipër detyrat që i ngarkohen nga qytetarët e Himarës”, deklaroi ministri i Jashtëm, Jorgos Gjerapetritis, raportojnë mediat greke.
“Ky është një zhvillim negativ, që përbën një shkelje të qartë të parimeve themelore të shtetit të së drejtës, të cilat Shqipëria duhet t’i respektojë dhe t’u përmbahet nëse dëshiron të bëhet anëtare e familjes europiane. I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare që të sigurojë menjëherë, ligjërisht apo administrativisht, betimin e menjëhershëm të Belerit brenda apo jashtë burgut”, thekson ai.
Gjerapetritis tha gjithashtu se Ministria e Jashtme do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimin e çështjes dhe do ta ngrejë këtë çështje në të gjitha forumet ndërkombëtare.
Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit ku doli edhe fitues për Bashkinë e Himarës. Ai ra në pranga për korrupsion pasiv në zgjedhje.
Avokatët kishin kërkuar një masë më të lehtë sigurie në rekursin e paraqitur në Gjykatën e Lartë, por trupi gjykues nuk i pranoi argumentet e tyre.