Deputetja e PD Oriola Pampuri, në një deklaratë për mediat ka ftuar anëtarët e Partisë Demokratike që t’i drejtohen nesër kutive të votimit për të finalizuar procesin e zgjedhjes së kryetarit të partisë.
Pampuri shprehet se ky proces është hapi i parë drejt ringritjes së Partisë Demokratike.
“Të nderuar anëtarë të Partisë Demokratike, nesër është një ditë e rëndësishme për të gjithë demokratët, por pa diskutim dhe për të gjithë shqiptarët, të cilët u lodhën në këto dy vite me skena të cilat nuk do ti kishin hije Partisë më të madhe të djathtë në Shqipëri, me skena të cilat nuk mund të ngjallnin kurrsesi shpresë dhe besim.
Shqiptarët nga nesër meritojnë një parti demokratike të konsoliduar, të organizuar, një parti demokratike, lidershipi i së cilës të jetë në partneritet të ngushtë me ShBA, Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe.
Është e qartë se shqiptarët janë të lodhur me skena e debate, retorike të përsëritur politike, të cilat i interesojnë vetëm një njeriu: Edi Rames.
Shqiptarët duan zgjidhje, duan një opozitë të fortë sot dhe një alternativë qeverisese nesër. Demokratët duan të rikthehet shpresa. Dhe nga nesër nis rrugëtimi për ndryshimin e shumëpritur.
Ftoj çdo anëtar të Partisë Demokratike, që ti drejtohet nesër kutive të votimit për të finalizuar procesin e zgjedhjes së kryetarit të PD. E bashke me të nisjen e procesit të ringritjes së Partisë Demokratike.
Së bashku do ta bëjmë Partinë Demokratike, alternativën më të mirë, dhe do të rikthejmë shpresën tek demokratët dhe mbarë shqiptarët.”